Arbërie Nagavci nga Gjakova i ka rënë pishman. Edhe pse në fillim ka pranuar ofertën e AKR-së që të jetë anëtare nga kjo parti në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), tash ajo ka refuzuar atë.
Në një konferencë për media ka deklaruara se kjo ka të bëjë me çështje parimore, ngase siç ka thënë ajo, dëshiron të respekton Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës.
Ajo tha se ka ndërruar mendje duke i parë zhvillimet e fundit në KQZ.
“Duke i parë zhvillimet e fundit në KQZ, konkretisht debatet rreth heqjes së logos së Republikës së Kosovës në fletëvotime, e nëse ndodh kjo është e kundërligjshme dhe e dëmshme”, ka thënë ajo.
Nagavci ka thënë se AKR-ja menjëherë kanë vendosur të kontaktojnë me dikë tjetër për ta emëruar si përfaqësues të tyrin në KQZ, ngase kjo i ka paralajmëruar se nëse merr atë pozitë do të ndjek vijën ligjore jo atë politike, përfshirë këtu edhe idenë eventuale për heqje të logos.
Propozimi i AKR-së për Arbërie Nagavci vjen pas vendimit të kësaj partie për shkarkimin e Fadil Malokut nga KQZ-ja, raporton KosovaPress.